Secondary Adv

KLSH: Përmbytja e Vlorës në 2024 mund të parandalohej, shkak mospastrimi i kanaleve

KLSH thotë se kanalet e papastruara dhe mangësitë në sistemin e kullimit shkaktuan përmbytjet e 4 tetorit.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se përmbytjet e mëdha në Vlorë më 4 tetor 2024 erdhën nga mospastrimi shumëvjeçar i kanaleve kryesore si KK2 Akërni, KK3 Akërni dhe KUL Orikum, disa prej të cilave nuk janë pastruar për 15–30 vite, si edhe nga mungesa e koordinimit institucional, pasi Bashkisë Vlorë i është dhënë vetëm godina e hidrovorit, jo kanali kryesor që çon ujin drejt tij.

 

Hidrovori Akërni punoi me kapacitet të reduktuar

KLSH thekson se Hidrovori Akërni funksionon pa pompa rezervë dhe pa gjenerator emergjence, me një linjë elektrike të amortizuar që furnizon edhe subjekte private, duke ulur tensionin dhe kapacitetin e pompimit; në ditën e përmbytjes ai punoi me vetëm 45% të kapacitetit, ndërsa tensioni ra në 360V, dhe ndërkohë nuk u kryen investime të planifikuara në Bunavi, Armen dhe Selenicë gjatë viteve 2023–2024.

 

Probleme me pusetat, rrjetin e ujërave dhe inertet

Raporti evidenton se ndarja e rrjeteve të ujërave të ndotura dhe atyre të bardha nuk funksionon si duhet, pasi në reshje punonjës të UK hapin pusetat për të futur ujërat sipërfaqësore në rrjet, duke mbingarkuar pompat, kurse shumica e pusetave të KUB janë të bllokuara nga mbeturinat dhe kanë dimensione të pamjaftueshme, situatë e rënduar edhe nga inertet e lëna pas punimeve të ujësjellësit të ri.

 

Mangësi në reagimin institucional dhe dëme në infrastrukturë

KLSH kritikon mungesën e reagimit të institucioneve, pasi Qarku Vlorë nuk shpalli emergjencën civile dhe Bashkia nuk kërkoi vlerësim dëmesh për banesat, ndërkohë që nuk u akordua asnjë fond nga qeveria; reshjet shkaktuan dëme edhe në ByPass, ku pati rrëshqitje dherash, dhe në rrethrrotullimin hyrës ku një tombino box 2.5×1 m zëvendësoi tre tombinot e projektit fillestar dhe derdhet në një kanal të papastruar, duke e bërë jofunksional.

 

Përfundimi: përmbytja ishte e shmangshme

KLSH thekson se përmbytja e 4 tetorit ishte e parandalueshme, pasi mosfunksionimi i kolektorëve dhe hidrovorëve, mospastrimi i kanaleve dhe mungesa e mirëmbajtjes së pusetave krijuan kushte për vërshime të menjëhershme, duke theksuar se nëse infrastruktura e kullimit do të funksiononte si duhet, rreziku i përmbytjes do të ishte minimal dhe se pastrimi e rehabilitimi i sistemit të kullimit mbetet detyrë urgjente për mbrojtjen e qytetit.

 

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat